IHS

Zëri i pacientëve temë diskutimi me organizatat e shoqërisë civile në Prishtinë

Rreth 15 përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe Zyra e Avokatit të Popullit u takuan më 19 qershor 2025 për punëtorinë “Çfarë thonë pacientët?”. Kjo punëtori, e shtata në këtë raund takimesh midis organizatave të shoqërisë civile dhe projektit IHS, synoi të mbledhë informacione të dorës së parë dhe të diskutohej për fuqizimin e pacientëve në rajonin e Prishtinës, sidomos të atyre që jetojnë me sëmundje kronike jongjitëse.

Punëtoria shërbeu si platformë për dialog, adresim të sfidave dhe eksplorim të mundësive për përfshirje më të madhe të pacientëve në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore. Pjesëmarrësit ndanë përvoja, diskutuan rolin e shoqërisë civile dhe institucioneve në përforcimin e zërave të pacientëve dhe propozuan veprime konkrete për të përmirësuar sistemet lokale të kujdesit shëndetësor.

Visare Berisha nga Assist Kosova e vlerësoi iniciativën, duke e quajtur atë hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më gjithëpërfshirës dhe më të përgjegjshëm që i dëgjon vërtet pacientët. “Vlerësoj veçanërisht përpjekjen për të dëgjuar zërat e pacientëve dhe për ta shndërruar atë në burim të vlefshëm për përmirësimin e shërbimeve. Ky format jo vetëm që inkurajon dialogun, por gjithashtu promovon veprime konkrete në nivel lokal”.

SQ