Ndahen çmimet për raportim të përgjegjshëm për diabetin në media
Më 27 nëntor 2024, projektet Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) organizuan një ceremoni të ndarjes së çmimeve për t’i shpallur fituesit e programit të trajnimit mediatik dhe çmimeve për raportimin e përgjegjshëm për diabetin.
Kjo nismë u fokusua në rritjen e vetëdijësimit për sëmundjet kronike jongjitëse (SKJ), veçanërisht diabetin. Fillimisht u organizua një trajnim dy-ditor për gazetarët, për avancimin e aftësive të tyre për të raportuar në mënyrë efektive mbi SKJ-të, e duke synuar ta nxisë një diskutim publik të informuar dhe t’i fuqizojë pacientët për ta menaxhuar më mirë shëndetin e tyre.
“Tani kemi mbi 25 gazetarë me më shumë njohuri në raportimin mbi çështjet shëndetësore, në veçanti diabetin, gjë që nuk e kishim një vit më parë”, tha Fatlum Jashari, anëtar i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.
Programi i çmimeve, një bashkëpunim ndërmjet IHS-së, AQH-së dhe AGK-së, u mbështet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeveria e Kosovës, thekson rolin kryesor të mediave në formësimin e diskursit të shëndetit publik. Fituesit u zgjodhën nga një grup storjesh të publikuara midis prillit dhe nëntorit 2024.
Çmimet vlerësojnë gazetarët që ndihmojnë në ngritjen e të kuptuarit publik dhe inkurajojnë menaxhimin e shëndetit të bazuar në informata. Fituesit e çmimeve janë: çmimi i parë, Diana Basholli nga Gazeta Shneta me storjen e saj “Kam mendu që diabeti i prek veç pleqtë”; çmimi i dytë, Vlera Shabani nga Kallxo.com me storjen e saj “Kemi shumë shpenzime: Prindërit e fëmijëve me diabet presin dorën e shtetit”, dhe çmimi i tretë, Arbreshë Uka nga Klan Kosova me storjen e saj “Jeta e sfiduar e 25-vjeçarit me diabet: Më prish punë edhe në dashuri”.