Fillon programi i Trajnimit të Trajnerëve për Auditim Klinik
Më 9 shtator 2024 filloi programi pesëditor për Trajnimin e Trajnerëve (TiT) për Auditim Klinik, i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor në Kosovë. Pjesëmarrës në trajnim janë stafi i spitaleve të përgjithshme nëpër Kosovë. Si aktivitet i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe Projektit “Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS)”, TiT ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dhe efektivitetit të kujdesit për pacientët.
Në ceremoninë e hapjes, Dr. Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i MSH-së, nënvizoi rëndësinë e këtij trajnimi. “Ky moment shënon një hap të rëndësishëm përpara në zotimin e vazhdueshëm për ngritjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor në vendin tonë,” theksoi ai. “Auditimi klinik është më shumë se një proces; është mjet i fuqishëm që na mundëson t’i reflektojmë praktikat tona, t’i identifikojmë fushat që duhet të përmirësohen dhe përfundimisht të sigurojmë kujdes të standardit më të lartë për pacientët tanë”. Dr. Bardiqi theksoi rolin e rëndësishëm që do të luajnë profesionistët e trajnuar rishtazi si trajnerë të ardhshëm, duke i udhëzuar kolegët e tyre në zbatimin me efikasitet të auditimeve klinike brenda institucioneve të kujdesit shëndetësor.
Dr. Ilir Mecini shtoi se “kjo nismë ka për qëllim zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve lokale në fushën e auditimit klinik, duke i pajisur pjesëmarrësit me njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për zbatim efikas të auditimeve klinike në praktikë, duke siguruar kështu që institucionet tona ofrojnë kujdes të standardit më të lartë”.
Trajnimi fasilitohet nga eksperti ndërkombëtar, Dr. Mihai Negrea, i cili sjell me vete përvojë të gjerë në menaxhimin e kujdesit shëndetësor. Gjatë programit pesëditor, pjesëmarrësit do të fitojnë njohuri të thella për proceset e auditimit klinik, me fokus në krijimin e kulturës së përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë brenda institucioneve të kujdesit shëndetësor në Kosovë.