Prezantimi i aplikacionit MonitorIM në kujdesin parësor shëndetësor
Më 12 gusht, Projekti Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë mbajtën një takim koordinues dhe informues për të avancuar zbatimin e aplikacionit MonitorIM. Ky aplikacion është një mjet digjital për vetëmenaxhim, i cili mbështet pacientët që jetojnë me diabet dhe hipertension.
Takimi u përqendrua në elementet kryesore të aplikacionit, përvojën e deritanishme nga përdorimi i tij praktik nga pacientët, si dhe planin e zbatimit për vitin 2026. Pjesëmarrësit u njohën edhe me përditësimet më të fundit të aplikacionit MonitorIM.
U diskutua për rolet dhe përgjegjësitë e mjekëve familjarë, infermierëve, endokrinologëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në regjistrimin, edukimin, monitorimin dhe përcjelljen e pacientëve, me fokus në integrimin e programit në kujdesin rutinor ndaj pacientëve.
Pjesëmarrësit diskutuan edhe për koordinimin ndërmjet QKMF-ve në Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë dhe Spitaleve të Përgjithshme në Pejë dhe Gjakovë, si dhe, sipas nevojës, me institucionet e specializuara të kujdesit tretësor, duke shqyrtuar modalitete praktike të bashkëpunimit dhe përfshirjes më të madhe të institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor në zbatim.
Takimi përfundoi me dakordimin për hapat e ardhshëm në zbatimin e aplikacionit MonitorIM, duke kontribuar në përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar përfshirjen e pacientëve dhe vetëmenaxhimin e diabetit dhe hipertensionit.