Ministria e Shëndetësisë lanson Procedurat Standarde Operative të Infermierisë
04 August 2026

Ministria e Shëndetësisë lanson Procedurat Standarde Operative të Infermierisë

Më 30 korrik 2026, Ministria e Shëndetësisë lansoi vëllimin e parë të Procedurave Standarde Operative (PSO-ve) të Infermierisë në Kujdesin Dytësor dhe Tretësor Shëndetësor. Ky dokument është kornizë e unifikuar për praktikën e përditshme profesionale të infermierëve që i kontribuon përmirësimit të cilësisë së kujdesit dhe sigurisë së pacientëve në të gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës. 

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në këtë ngjarje, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, tha se PSO-të e reja krijojnë bazën e përbashkët për praktikën infermierore në spitale, ndihmojnë në standardizimin e kujdesit profesional dhe në ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe cilësore për pacientët, pavarësisht se ku e marrin trajtimin. 

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, institucioneve shëndetësore dhe partnerëve zhvillimorë. 

Duke folur para të pranishmëve në këtë ngjarje, Dr. Lia Tavadze, udhëheqëse e ekipit të projektit Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), theksoi se procedurat standarde operative shndërrojnë njohuritë profesionale në praktikë konsistente të përditshme, duke forcuar llogaridhënien, punën ekipore, cilësinë e kujdesit dhe sigurinë e pacientëve. 
Ministria e Shëndetësisë falënderoi grupin punues, profesionistët e infermierisë dhe partnerët për kontributin e tyre në hartimin e dokumentit.