HUB-i i Prishtinës: Hapësirë lokale për dialog global
Në mes të gushtit 2026, dy salla në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) mirëpritën një grup të vogël profesionistësh shëndetësorë, të cilët punuan dhe mësuan së bashku. Për gjashtë ditë, nga 17 deri më 22 gusht, 25 pjesëmarrës u mblodhën për të ndjekur, përmes HUB-it të Prishtinës, kurset e Shkollës Verore të Luganos për Shëndet Publik të SSPH+. Programi mblodhi bashkë epidemiologë, infermierë, nutricionistë dhe specialistë të shëndetit publik për të parë qasje globale dhe për të reflektuar se si ato mund të përshtaten me nevojat e Kosovës që janë në zhvillim e sipër.
Në mesin e tyre ishte edhe Elinë Sylaj, e cila, teksa reflektonte mbi këtë përvojë, tha: “Mësova shumë dhe u largova me njohuri dhe mjete praktike, të cilat patjetër do t’i përdor në punën time akademike.”
Nga një zgjidhje e njëhershme në një model të qëndrueshëm
HUB-i i Prishtinës u krijua për herë të parë në vitin 2020, kur pandemia ndërpreu papritur udhëtimet ndërkombëtare. Në vend që aktivitetet të pezulloheshin, Projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) ndihmoi në krijimin e një grupi pjesëmarrësish nga Kosova, të cilët iu bashkuan nga distanca Shkollës Verore të Luganos.
Ajo që nisi si një zgjidhje e improvizuar u shndërrua shpejt në diçka shumë më të qëndrueshme. Për gjashtë vite radhazi, HUB-i i Prishtinës u ka mundësuar profesionistëve të shëndetit publik në Kosovë të marrin pjesë nga brenda vendit, duke mbetur njëkohësisht të lidhur me kolegë dhe ekspertë nga e gjithë bota. Koncepti rezultoi aq i suksesshëm, saqë deri në vitin 2025 ishte zgjeruar në tetë HUB-e në mbarë botën.
“Në vitin 2020, Kosova u bë lokacioni i parë HUB i SSPH+”, tha prof. dr. L. Suzanne Suggs, kryesuese e Shkollës Verore të SSPH+ për Politikat, Ekonominë dhe Menaxhimin në Shëndetin Publik. “Falë kësaj nisme të jashtëzakonshme, ne e kemi zgjeruar konceptin e HUB-eve. Në vitin 2025 kishim tetë lokacione, me mbi 94 pjesëmarrës në këto vende.”
Ajo shtoi se "HUB-et ua mundësojnë njerëzve të mblidhen së bashku në nivel lokal dhe, në të njëjtën kohë, të lidhen globalisht. Ato krijojnë hapësirë për të diskutuar nevojat lokale, mënyrën se si funksionojnë sistemet dhe si mund të përmirësohen ato.”
Tashmë në edicionin e saj të 35-të, Shkolla Verore e Luganos për Shëndet Publik e SSPH+ mbledh profesionistë të shëndetit publik për të kapërcyer hendekun ndërmjet teorisë dhe praktikës në fushën e politikave, ekonomisë dhe menaxhimit. Që nga themelimi i saj, mbi 2,000 pjesëmarrës kanë qenë pjesë e saj në Lugano dhe, që nga viti 2020, edhe përmes HUB-eve dhe pjesëmarrjes online.
Për IKSHPK-në, organizimi i HUB-it ka sjellë shumë më tepër sesa vetëm kursime në shpenzime. Ka fuqizuar ekspertizën vendore, ka rritur dukshmërinë në rrjetet rajonale dhe ka krijuar një hapësirë të rrallë ku profesionistë nga fusha të ndryshme mund të mendojnë dhe të shkëmbejnë ide së bashku.
“Pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë përvoja të reja, të shkëmbejnë njohuri dhe të mendojnë se si mund t’i zbatojnë praktikat globale në kontekstin tonë… E mira e këtyre kurseve është se është eliminuar problemi i udhëtimit dhe i shpenzimeve që lidhen me të”, theksoi Ardita Baraku, Drejtoreshë Ekzekutive e IKSHPK-së.
Që kur HUB-i i Prishtinës u transferua në IKSHPK në vitin 2024, me mbështetjen e vazhdueshme të projekteve AQH dhe IHS, ai është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të zhvillimit profesional në vend, të cilën Instituti synon ta vazhdojë edhe pas fazës përfundimtare të Projektit AQH. Znj. Baraku nga IKSHPK-ja theksoi se vazhdimësia e HUB-it të Prishtinës mbetet prioritet dhe se për këtë do të nevojiten zgjidhje kreative për financimin, përfshirë mbështetjen e mundshme nga qeveria, partneritetet me universitetet ose marrëveshjet me SSPH+ për tarifa më të ulëta të pjesëmarrjes online.
Ndër vite, 98 pjesëmarrës kanë kaluar nëpër HUB, duke marrë me vete aftësi dhe perspektiva të reja në punën e tyre. Pjesëmarrësit tregojnë se kanë fituar më shumë njohuri dhe siguri në fusha si shëndetësia digjitale, cilësia e ajrit, ushqyerja, epidemiologjia dhe parandalimi; se kanë zbatuar qasje të bazuara në dëshmi në diskutimet për politikat; dhe se kanë parë se si praktikat globale mund të përshtaten dhe të rimendohen në kontekstin e Kosovës. Për infermierët, HUB-i ka ofruar mundësi për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve, ndërsa profesionistëve të shëndetit publik u ka ofruar mjete për trajtimin e sëmundjeve kronike jongjitëse. Këtë vit, edhe një pjesëmarrës nga Shqipëria iu bashkua programit, duke e përmendur lehtësinë e pjesëmarrjes përmes HUB-it të Prishtinës.
“Kjo nismë është pritur shumë mirë”, tha Merita Shehu, Specialiste e Lartë e Shëndetësisë në Projektin AQH. “Pjesëmarrësit patën mundësinë të fitojnë njohuri, të punojnë në grupe, të shoqërohen dhe t’i zbatojnë në punën e tyre të përditshme ato që kishin mësuar”.
Epidemiologu Besfort Kryeziu, i cili mori pjesë si në versionin plotësisht online, ashtu edhe më vonë përmes HUB-it, tha se modeli me pjesëmarrje fizike e transformoi përvojën. “HUB-i i Prishtinës ishte një përvojë disi më e veçantë, pasi patëm mundësinë të ndërvepronim dhe të lidheshim me profesionistë të tjerë nga fusha të ngjashme.” Ai shtoi se njohuritë e fituara kanë qenë drejtpërdrejt të zbatueshme në punën e tij në fushën e cilësisë së ajrit dhe statistikave shëndetësore.
Ajo që nisi si një zgjidhje e përkohshme gjatë një krize globale është shndërruar në një investim të qëndrueshëm në kapacitetet e ardhshme të Kosovës në fushën e shëndetit publik. Për sa kohë që HUB-i vazhdon t’i mbledhë njerëzit bashkë për të mësuar, reflektuar dhe sfiduar njëri-tjetrin, ai do të mbetet thelbësor për fuqizimin e rrugëtimit të vendit drejt një kujdesi shëndetësor më të qëndrueshëm dhe më të barabartë.
Përshtypjet e pjesëmarrësve mund t’i ndiqni këtu.