Komitetet Drejtuese të AQH-së dhe IHS-së mblidhen për të shqyrtuar progresin
19 June 2026

Komitetet Drejtuese të AQH-së dhe IHS-së mblidhen për të shqyrtuar progresin

Më 17 qershor 2026, Komitetet Drejtuese të projekteve Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) dhe Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), të bashkëkryesuara nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), u mblodhën në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për të shqyrtuar progresin e arritur gjatë gjashtë muajve të fundit dhe për të diskutuar prioritetet për periudhën e ardhshme.

Duke qenë se të dy projektet kontribuojnë në forcimin e kujdesit për pacientët me sëmundje jongjitëse, takimi ofroi një pasqyrë të detajuar se si këto dy projekte, të financuara nga SDC-ja, po përmirësojnë cilësinë e kujdesit në nivelet parësore dhe dytësore të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Peter Sidler, Zëvendësshef i SDC-së, theksoi nevojën për të siguruar qëndrueshmërinë e rezultateve të Projektit AQH, ndërsa ai po i afrohet përfundimit të periudhës së zbatimit. Ai theksoi gjithashtu se, në fazën e tij të dytë, Projekti IHS duhet të vazhdojë të bazohet mbi arritjet e deritanishme dhe t’u përgjigjet në mënyrë efektive prioriteteve të sistemit shëndetësor.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, theksoi se projektet kanë luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të sëmundjeve jongjitëse dhe në mbështetjen e profesionistëve shëndetësorë në mbarë vendin.

Dr. Ardita Baraku, Drejtoreshë e IKSHPK-së, foli për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Institutit dhe të dy projekteve, duke theksuar ndikimin pozitiv të investimeve në kapacitetet profesionale, transferimin e njohurive dhe infrastrukturën shëndetësore.

Dr. Jana Gerold, Udhëheqëse e Projektit në Swiss TPH, prezantoi drejtimin strategjik të fazës së dytë të Projektit IHS, që synon të mbështesë më tej ofrimin e shërbimeve shëndetësore të integruara dhe me njerëzit në qendër, si dhe të forcojë koordinimin ndërmjet niveleve të ndryshme të kujdesit shëndetësor.

Ekipet e AQH-së dhe IHS-së prezantuan zhvillimet e arritura që nga mbledhja e fundit e Komiteteve Drejtuese, e mbajtur në dhjetor 2025. Diskutimet u përqendruan në arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra, si dhe në përcaktimin e veprimeve prioritare për fazën përfundimtare të zbatimit të AQH-së dhe vazhdimin e zbatimit të Fazës II të IHS-së. Vëmendje e veçantë iu kushtua qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të suksesshme, institucionalizimit të praktikave të mira dhe sigurimit që rezultatet e projekteve të vazhdojnë t’u sjellin përfitime pacientëve dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor edhe pas përfundimit të projekteve.

Komitetet Drejtuese përfshijnë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, SDC-ja, IKSHPK-ja, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Spitalet e Përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës, Komuna e Lipjanit si lokacion demonstrues i AQH-së, Kolegjiumi për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK), si dhe ekipet zbatuese të projekteve.

Takimi përfundoi me zotimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin në forcimin e shërbimeve shëndetësore dhe në arritjen e rezultateve më të mira shëndetësore për personat që jetojnë me sëmundje jongjitëse në Kosovë.