Hapet Kursi për Lidership në Fushën e Sëmundjeve Kronike Jongjitëse në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës 2026
10 July 2026

Hapet Kursi për Lidership në Fushën e Sëmundjeve Kronike Jongjitëse në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës 2026

Më 6 korrik 2026 “Kursi për Lidership në fushën e Sëmundjeve Kronike Jongjitëse” u hap zyrtarisht në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU) 2026. I realizuar si program i specializuar jashtë kurrikulës së rregullt të PISU-së, kursi dyjavor mbledh profesionistë të rinj të shëndetit publik dhe ekspertë nga fusha të tjera, me qëllim forcimin e kapaciteteve udhëheqëse në adresimin e sëmundjeve kronike jongjitëse (SJN).

“Kursi për Lidership në fushën e sëmundjeve kronike jongjitëse trajton çështje me rëndësi kritike për Kosovën dhe njëkohësisht shumë relevante edhe në nivel global. Sëmundjet kronike jongjitëse ndikojnë jo vetëm në sektorin e shëndetësisë, por edhe në zhvillimin më të gjerë shoqëror, ekonomik dhe institucional të vendit,” tha Prof. Rozafa Basha, Prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në Universitetin e Prishtinës, gjatë hapjes zyrtare.

I organizuar si partneritet ndërmjet Universitetit të Prishtinës, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Institutit Zviceran për Shëndet Tropikal dhe Publik (Swiss TPH) dhe Projektit për Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), kursi i pajis pjesëmarrësit me shkathtësi praktike në analizën e politikave shëndetësore, vendimmarrjen e bazuar në dëshmi, lidership, avokim dhe angazhim të palëve të interesit. Pjesëmarrësit u përzgjodhën përmes një procesi konkurrues të eseve, duke dëshmuar motivimin e tyre për të kontribuar në përmirësimin e politikave shëndetësore në Kosovë.

Java e parë ndërthuri ligjërata të udhëhequra nga ekspertë me punë praktike në grupe, të fokusuara në katër faktorë prioritarë të rrezikut për sëmundjet jo ngjitëse: kontrollin e duhanit, ushqyerjen e pashëndetshme dhe obezitetin, alkoolin dhe pasivitetin fizik. Pjesëmarrësit shqyrtuan përmbajtjen dhe proceset e politikave, qasjet e lidershipit dhe hartëzimin e palëve të interesit, ndërkohë që zhvilluan analiza të politikave dhe zgjidhje praktike për sfida reale të shëndetit publik.

Duke lidhur ekspertizën ndërkombëtare me prioritetet e shëndetit publik në Kosovë, kursi synon të nxisë një brez të ri liderësh të pajisur për të formësuar politika më të fuqishme dhe të bazuara në dëshmi për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve jo ngjitëse.