Grupi Punues për aplikacionin MonitorIM dakordohet për hapat e radhës
01 July 2026

Grupi Punues për aplikacionin MonitorIM dakordohet për hapat e radhës

Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, profesionistë shëndetësorë dhe përfaqësues të pacientëve u takuan më 30 qershor 2026 për të shqyrtuar dhe validuar versionin e përditësuar të aplikacionit digjital “MonitorIM”, i cili shërben për vetëmenaxhimin e pacientëve me diabet dhe hipertension. Takimi shënoi hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të programit të vetëmenaxhimit, ku pjesëmarrësit konfirmuan përmirësimet kryesore teknike dhe klinike që do realizohen deri në fund të vitit.

Bazuar në rekomandimet e marra gjatë punëtorive teknike të mbajtura rishtazi në Pejë, Gjakovë dhe Prishtinë, si dhe në zgjidhjet e shqyrtuara nga Global CT – partneri për zhvillimin e aplikacionit, përfshirë edhe idetë e dala nga “Hackathone” me programues të rinj, versioni i përditësuar sjell një sërë përmirësimesh që synojnë të lehtësojnë përvojën e pacientëve si dhe rrjedhën e punës klinike. Ndër funksionalitetet e reja përfshihen komunikimi i sigurt përmes mesazheve ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve, përmirësimi i qasjes në historikun e pacientit, paneli (dashboard) më intuitiv për përdoruesit, përshtatja e aplikacionit për pajisjet mobile, dokumentimi më i thjeshtë i këshillave për ushqyerje (dieta), përkujtuesit motivues që nxisin vetëmonitorimin e rregullt, si dhe paralajmërime (alarme) më të avancuara për rreziqet, të bazuara në protokollet klinike. Pjesëmarrësit i validuan edhe parametrat kryesorë klinikë dhe u dakorduan për përmirësime të mëtejshme, në mënyrë që aplikacioni të mbetet në përputhje me udhëzuesit kombëtarë për trajtim.

Grupi Punues u dakordua edhe për hapat e ardhshëm në zbatimin e planit kombëtar për vetëmenaxhimin e pacientëve me diabet dhe hipertension gjatë vitit 2026, me përfshirje më të madhe të ofruesve të kujdesit parësor shëndetësor, krahas atyre kujdesit dytësor. Për të mbështetur këtë proces, pjesëmarrësit miratuan krijimin e një “task-force” të rregullt teknike, e cila do të monitoroj zbatimin e planit, do të shqyrtojë komentet (feedback) e përdoruesve si dhe do të udhëheqë përditësimet e ardhshme të aplikacionit.